Courts
Udhëzues për ushtrimin e padisë
Çka është Padia?
Është akt apo kërkesë më anë të së cilës personat fizikë (individët) apo juridikë (kompanitë, organizatat etj) i drejtohen gjykatës kompetente kur mendojnë se i është shkelur ndonjë e drejtë. Kjo e drejtë mund të jetë: kërkesë për vërtetimin e pronësisë, kërkesë për kthimin e borxhit, padi për pengim-posedim dhe kërkesa të tjera rreth kontesteve civile. Padi nuk mund të ushtrojë një person të cilit i mungon e zotësia e veprimit.
E drejta e ushtrimit të padisë civile
Padi mund të ushtroj çdo person i moshës madhore i cili ka zotësinë e veprimit, ndërsa për të drejtat e fëmijëve padia duhet të ushtrohet përmes përfaqësuesve të autorizuar ligjorë.
Përmbajtja e padisë
Një padi duhet të përmbajë këto elemente:
- Gjykatën përpara se cilës paraqitet kërkesa.
- Emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave qe përkatësisht i përfaqësojnë ata, kur ka të tillë;
- Përcaktimin e objektit te kërkesë padisë;
-Tregimin e fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve te tjera provuese dhe se drejtës mbi të cilat mbështetet kërkesëpadia;
- Kërkesën e paditësit;
- Vlerën monetare të padisë;
Në cilën gjykatë duhet të ushtrohet padia
Padia ushtrohet në gjykatën e vendbanimit ku jeton pala e paditur. Kjo është bërë më qëllim që palës së paditur ekonomikisht t’i kushtojë sa më pak një proces i tillë gjyqësor.
Afati kohor për ushtrimin e padisë
Për ushtrimin e padive nuk ekziston ndonjë afat i caktuar dhe zakonisht kur paditësi konsideron se i është shkelur, mohuar apo rrezikuar ndonjë e drejtë, i drejtohet gjykatës për mbrojtjen e kësaj të drejte.
Shkallshmëria e trajtimit të padive
Më ligjin e ri për gjykatat, është bërë riorganizimi i strukturës së gjykatave sipas nivelit, duke përcaktuar kështu edhe të drejtën e trajtimit të lëndëve, varësisht nga niveli i gjykatave.
Gjykata Themelore
Gjykata Themelore është shkalla e parë të cilës pala i drejtohet me padi për mbrojtjen e ndonjë të drejte subjektive. Varësisht prej natyrës së lëndës, gjykata trajton paditë e tilla në departamentin përkatës (departamenti i përgjithshëm dhe ai për çështje ekonomike). E njëjta gjykatë vendose në lidhje me padinë e palëve në shkallë të parë, i cili vendim mund të marrë formën e prerë nëse nuk goditet më mjetet e rregullta juridike.
Gjykata e Apelit
Pasi Gjykata Themelore të vendosë në lidhje më kërkesëpadinë, palët e pakënaqura, përmes ankesës, mund t’i drejtohen gjykatës së apelit në lidhje më shkeljet eventuale që palët pretendojnë që iu janë bërë nga gjykata e shkallës së parë, ajo themelore.
Afati për ankesë është 7 ose 15 ditë, varësisht se për çka ankohen palët. Varësisht prej asaj se si vendosë gjykata e apelit, e cila është e obliguar të vendosë brenda afatit optimal, lënda mund të kthehet apo të mos kthehet fare në trajtim të sërishëm, të vendoset nga vet apeli, apo të vërtetohet nga e njëjta.
Gjykata Supreme
Më hyrjen në fuqi të ligjit të ri për gjykatat, Gjykata Supreme tani vendos vetëm për mjetet e jashtëzakonshme juridike për paditë civile. Fillimisht përdoren mjetet e rregullta juridike (ankesa) te cilat drejtohen në Gjykatën e Apelit. Pala ka të drejtë gjithashtu të përdore mjetet e jashtëzakonshme juridike, varësisht prej natyrës së shkeljes, të cilat drejtohen në Gjykatën Supreme.
Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese mund të përdoret vetëm në rastet kur përfundon procedura në gjykatat e rregullta (themelore, apelit dhe supreme). Në Kushtetuese, palët mund të ankohen nëse mendojnë që gjatë gjykimit në gjykatat e rregullta ju është shkelur ndonjë e drejtë për shembull e drejta për gjykim të drejtë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës është autoriteti i cili vendosë gjithashtu për kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e ligjeve, nëse të njëjtat janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit e palës
Në procedurën kontestimore, tek paditë civile, palët (paditësi/ja dhe i/e padituri/a) mund të përfaqësojnë pa angazhuar fare avokat apo përfaqësues të tyre.
I vetmi rast kur gjykata duhet të angazhojë përfaqësues në kontestet civile, janë rastet kur gjykata ka prova se njëra nga palët në kontest, nuk ka mundur të ftohen në shqyrtim. Atëherë gjykata, në bazë të detyrës zyrtare, cakton përfaqësuesin ose avokatin për palën që është në pamundësi të përfaqësojë për të proceduar tutje më rastin.
Gjithashtu nëse gjatë shqyrtimit gjyqësor, njëra nga palët nuk njeh procedurat pranë gjykatës dhe ka nevojë për përfaqësues, gjykata mund ta udhëzojë atë që të angazhojë përfaqësues, mirëpo nuk mund ta obligojë.